Kondilomat ose lythat gjenitale janë rritje të vogla, me sipërfaqe të lëmuar ose të ngritur. Kjo sëmundje seksualisht e transmetueshme është e zakonshme në ditët e sotme.
Si duken lythat gjenital?
Këto janë lytha të vogla, të buta, me ngjyrë rozë të zbehtë që zakonisht shfaqen në grupe. Në raste të rralla, ato mund të bëhen më të mëdha, të inflamohen dhe të krijojnë një erë të pakëndshme. Kondilomat tek gratë formohen në organet gjenitale, rreth anusit, brenda skajit të sipërm të vaginës ose rreth qafës së mitrës. Tek meshkujt, ato ndodhin në skrotum, penis dhe anus.
Shkaku i paraqitjes së lythave gjenital
Fajtori për shfaqjen e lythave është virusi HPV (Human Papillomavirus), i cili është shkaktari i infeksionit më të shpeshtë seksualisht të transmetueshëm në botë. Janë të njohura mbi 120 lloje të ndryshme të viruseve HPV. Llojet e HPV 6 dhe HPV 11 janë përgjegjës për 90% të lythave gjenitale. Ky infeksion mund të jetë në një gjendje të fshehtë, latente për një periudhë të pacaktuar kohore, dmth. virusi gjendet thellë në lëkurë dhe në mukozën, por nuk shfaqen simptoma.
Edhe pse në shumicën e rasteve virusi mbetet në lëkurën e personit të infektuar në gjendje joaktive, ai sërish mund të transmetohet te partnerët e tij seksualë.
Koha nga infektimi me virus deri në shfaqjen e lythave është zakonisht nga 1 deri në 5 muaj. Në disa raste, lythat mund të shfaqen edhe pas disa vitesh kontakti me një person të infektuar, si pasojë e një sistemi imunitar të dobësuar. Rreth 80% e burrave dhe grave janë të infektuar me HPV në një moment të jetës së tyre, por shumica e tyre nuk e dinë kurrë këtë.
Trajtimi i lythave gjenital
Trajtimi i lythave është i ndryshëm për çdo pacient. Zgjedhja e trajtimit varet nga numri, madhësia dhe vendndodhja e lythave. Për heqjen e tyre përdoret trajtim mjekësor ose kirurgjik.
Kondilomat mund të trajtohen me përdorimin e kremrave dhe solucioneve të ndryshme, të cilat aplikohen në sipërfaqen e lëkurës. Kur kjo metodë trajtimi nuk ka efekt ose lythat janë shumë të mëdha, përdoret trajtimi kirurgjik.
Trajtimi i kondilomave është i vështirë dhe duhet pasur parasysh se është e mundur që ato të rishfaqen. Arsyeja kryesore për këtë është virusi HPV, i cili nuk hiqet nga trupi. Sipas disa specialistëve, trajtimi i plotë i këtij virusi është i pamundur. Kur dikush e ka tashmë atë, ai do të jetë bartës i saj për pjesën tjetër të jetës së tij.
Në të kundërt, ka mjekë që besojnë se një kurë e plotë mund të jetë realitet nëse ndiqet një mënyrë jetese e shëndetshme. Kjo do të thotë të marrësh mjaftueshëm vitamina, ushqim të shëndetshëm dhe të praktikosh aktivitete sportive. Qëllimi është të forcohet sistemi imunitar sa më shumë që të jetë e mundur dhe kështu trupi mund të largojë vetë virusin.
Mbrojtja nga lythat gjenital
Rekomandohet të përmbaheni nga kontakti seksual me një person që ka lytha të dukshme derisa ato të hiqen. Trajtimi i suksesshëm dhe heqja e lythave të dukshme zvogëlon gjasat e transmetimit të virusit nga një person te tjetri.
Gjatë kontaktit seksual me një person që ka kondiloma, përdorimi i prezervativit është i detyrueshëm, megjithëse ai nuk siguron mbrojtje 100%. Kondilomat e një partneri të infektuar nuk duhet të vijnë në kontakt me një të painfektuar.
Kur bartësja e kondilomës është një grua shtatzënë, lindja duhet të kryhet me prerje cezariane. Qëllimi është të zvogëlohet probabiliteti i infektimit të foshnjës në zero.
Për të mos u bërë pjesë e luftës së vështirë me kondilomat apo shumë sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme, mbani higjienë të lartë personale, zgjidhni me kujdes partnerët tuaj seksualë dhe sigurohuni që të përdorni prezervativ./Femina.al/