Sëmundjet

Shiatiku – simptomat, shkaqet, diagnoza dhe terapia

Shiatiku karakterizohet nga dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës, e cila zbret përmes hipit në pjesën e prapme të këmbës dhe në disa raste prek këmbën dhe gishtat e këmbës. Zakonisht ndodh vetëm në njërën anë.

Intensiteti i dhimbjes ndryshon. Shumica e njerëzve shërohen pa terapi specifike.

ÇFARË PARAQET SHIATIKU?

Shiatiku, i njohur gjithashtu si lumboischialgia, është një nevralgji që karakterizohet kryesisht nga dhimbje në zonën e trupit të inervuar nga nervi ischiadicus.

Shiatiku - simptomat, shkaqet, diagnoza dhe terapia

Nervi ischiadicus është nervi më i madh në trupin e njeriut, duke filluar nga pjesa e poshtme e shpinës dhe duke dërguar degë nervore në pjesën e poshtme të këmbës dhe shputës.

SIMPTOMAT E SHIATIKUT

Simptoma kryesore është dhimbja e mprehtë, djegëse e shoqëruar me ndjesi shpimi gjilpërash, dobësi, mpirje dhe pamundësi për të lëvizur. Në shumicën e rasteve, ndodh në mënyrë të njëanshme, pra zbret nga beli përgjatë njërës këmbë.

Qëndrime të caktuara mund të ndikojnë në intensitetin e dhimbjes, kështu që dhimbja zakonisht rritet kur qëndroni, ecni, gjunjëzoni ose përkuleni në bel, ndërsa në pozicion të shtrirë, dhimbja zvogëlohet pjesërisht ose zhduket plotësisht.

SHKAQET E PARAQITJES SË SHIATIKUT

Ka disa arsye për këtë lloj nevralgjie. Më shpesh bëhet fjalë për:

  • Sindroma Piriformis. Muskuli piriformis ndodhet thellë në rajonin gluteal (vithet) dhe ndodhet pak mbi nervin ischiadicus. Nëse ky muskul spazmon, ai mund të ushtrojë presion mbi nervin, duke bërë që të shfaqen simptomat e ishiatikut. Shkaqet më të zakonshëm të spazmës së këtij muskuli janë periudhat e gjata të uljes gjatë ditës dhe zvogëlimi i aktivitetit fizik. Sidoqoftë, mund të ndodhë edhe gjatë kryerjes së aktiviteteve të caktuara fizike si vrapimi ose çiklizmi, nëse ushtrimet për shtrirjen dhe forcimin e muskujve nuk praktikohen para kryerjes së aktivitetit.
  • Disku ndërvertebror i hernizuar në rajonin e mesit. Pjesa e brendshme qendrore e diskut mund të hernizohet dhe të ushtrojë presion mbi nervin, duke shkaktuar dhimbje.
  • Sëmundja degjenerative e diskut intervertebral në rajonin e mesit. Degjenerimi i diskut është një proces normal me plakjen, por te disa njerëz ky proces në rajonin e mesit mund të irritojë nervin ischiadicus dhe të shkaktojë dhimbje.
  • Infeksionet, dëmtimet ose tumoret.
  • Shtatzënia. Ndryshimet që kalon trupi gjatë shtatzënisë, të tilla si shtimi i peshës, presioni i fetusit dhe ndryshimet hormonale, mund të çojnë në ishiatik.
  • Spondilolisteza. Për shkak të ndonjë frakture të vogël, unaza vertebrale dislokohet përpara, gjë që krijon shtypje te nervi.

Gjithashtu, shiatiku mund të ndodhë dytësisht si rezultat i një sëmundjeje primare siç është diabeti.

DIAGNOSTIFIKIMI I SHIATIKUT

Për diagnozën e ishiatikut, është e nevojshme të merret një histori e mirë mjekësore dhe të bëhet një ekzaminim i hollësishëm fizik.

Në mënyrë që të përcaktohet shkaku i ishiatikut, në disa raste nevojiten teste shtesë si elektromiograma, rrezet X, tomografia kompjuterike dhe rezonanca magnetike.

TERAPIA

Ekzistojnë disa mundësi trajtimi në varësi të shkakut që çoi në simptoma si dhe intensitetit të tyre.

Zakonisht rekomandohet:

  • Vendosja e kompresave të ftohta ose të nxehta. Vendosni një kompresë të ftohtë ose të ngrohtë në zonën e prekur dhe lëreni të veprojë për rreth 20 minuta. Përsëriteni procedurën për rreth 2 orë. Njerëzit që vuajnë nga shiatiku më shpesh përdorin kompresa të ftohta, megjithëse në disa prej tyre kompresat e nxehta arrijnë rezultate më të mira në trajtimin e dhimbjeve. Kështu që eksperimentoni dhe shikoni se cili lloj do t’ju ndihmojë më shumë.
  • Medikamente. Analgjetikët përdoren më së shpeshti për të lehtësuar dhimbjen, relaksuesit e muskujve, etj. Në raste të rënda, përdoret terapi me kortikosteroide.
  • Aktiviteti fizik. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm në këtë sëmundje, por varësisht nga gjendja shëndetësore dhe ashpërsia e sëmundjes, ushtrime të caktuara nuk rekomandohen. Prandaj, konsultohuni me mjekun tuaj dhe ndiqni rekomandimet. Është e rëndësishme të theksohet se aktiviteti fizik nuk rekomandohet gjatë periudhave të dhimbjes së fortë. Pasi dhimbja të zhduket, këshillohet aktivitet i lehtë fizik.
  • Trajtimi kirurgjik. Në disa raste, opsioni i vetëm i trajtimit është operacioni, i cili për fat të mirë nuk është i nevojshëm në shumicën e pacientëve./Femina.al/
Back to top button